Mbrojtja nga zjarri – Shpërndahet fondi prej 20 mln lekësh për 5 bashki
Publikohet shpërndarja e fondit për investime, për funksionin e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi. Ky fond është miratuar në buxhetin e vitit 2017, në shumën 20 000 000 lekësh dhe shpërndahet për blerje automjetesh dhe pajisjesh zjarrfikëse në 5 njësi vendore si Këlcyrë, Ura Vajgurore, Shijak, Fushë Arëz dhe Divjakë.
Secila prej njësive përfituese do të ketë në dispozicion për blerjen e automjeteve dhe pajisjeve të tjera të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin nga 4 000 000 lekë. Sipas vendimit në Fletoren Zyrtare, fondet e papërdorura, të mbetura pas përfundimit të procesit të prokurimit dhe lidhjes së kontratave, do të rishpërndahen për bashkitë e tjera, me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Punëve të Brendshme, e Financave, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.