Mbyllen 14 subjekte të lojërave të fatit, 19 të tjera gjobiten me një vlerë në total prej 85,000 euro
14 subjekte që ushtronin veprimtarinë e lojërave të fatit janë mbyllur, pasi nuk ju janë përmbajtur kritereve që përcaktohen nga ligji “Për Lojërat e Fatit”. Drejtoria e Lojërave të Fatit në Administratën Tatimore të Kosovës nga data 12 Shkurt 2018 deri me 2 Mars 2018, ka vazhduar aksionin për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit.
Gjithashtu nga ky aksion janë ndëshkuar me gjobë 19 subjekte të tjera me vlerë të përgjithshme të gjobave prej 85,000 euro.
Këto aktivitete janë zhvilluar në qytetin e Prishtinës, Gjakovës, Ferizajt, Gjilanit, Fushë Kosovë, Lipjanit dhe Suharekës.
Drejtoria e Lojërave të Fatit do të vazhdoj aksionin edhe në qytete të tjera, ndërsa kërkon bashkëpunimin e qytetarëve.
“Gjithashtu, i bëjmë thirrje qytetarëve që të raportojnë në ATK, rastet për të cilat dyshohen se ushtrojnë veprimtarin e lojërave të fatit jashtë ligjshme”, thuhet në njoftimin e ATK.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.