“Mbyllen” 15 kompani ujësjellësish – Ligji i ri, jo më licencime për shoqëritë me 1500-2000 lidhje
Licencimi i shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve do të bazohet në një numër të caktuar lidhjesh, duke mos lejuar më shoqëri të vogla që nuk kanë mundësi të ofrojnë shërbim për qytetarët.
Gjithçka parashikohet në një projektligj, që po hartohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e që pritet të publikohet brenda muajit qershor. Burime të këtij dikasteri, thanë për TV SCAN se bëhet fjalë për ato shoqëri që numërojnë 1500-2000 kontrata, ndërkohë që nga vlerësimi paraprak janë 15 shoqëri të tilla.
Shkak për këtë ndryshim është fakti se ato e kanë të pamundur të shkojnë në qëndrueshmëri financiare. Ndërkohë që, përtej këtyre 15 kompanive, agregimi shihet si një nga zgjidhjet më të mira financiare për shoqëritë e ujësjellësve në Shqipëri.
“Popullsia e vendit tonë është e ulët dhe 58 shoqëri ujësjellës-kanalizime janë shumë”, thanë përfaqësues të ministrisë. Po ashtu, sipas disa vlerësimeve të kryera nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve rezulton se nëse uji do të administrohej nga një shoqëri e vetme, sikurse është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, rezultati financiar i saj tashmë do të ishte pozitiv.
Kjo tregon se nëse do të administrohet në mënyrë të agreguar, deri në masën optimale do të ketë një përmirësim të ndjeshme të situatës për ekonominë dhe cilësinë e ofrimit të shërbimit. Këto ndryshime vijnë në kuadër të reformës në sektorin e ujit dhe pritet të miratohen brenda këtij viti.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.