Mbyllen lejet për peshkim tregtar – Subjektet, afat deri më 5 Dhjetor për rinovimin e atyre ekzistuese
Subjektet e interesuara për peshkim tregtar profesional nuk do mund të pajisen me leje. Përmes një vendimi i cili tashmë ka hyrë në fuqi, qeveria ka deklaruar të mbyllur numrin e lejeve për këtë kategori, dhe me qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e resurseve të pelagjikëve të vegjël, për anijet që janë të lejuara për të dyja format e peshkimit së bashku, tërheqëse fundore dhe tërheqëse pelagjike, i jep të drejtën subjektit të ndryshojë lejen e peshkimit duke kaluar vetëm në rrjeta tërheqëse fundore.
Ndërkaq nga ana tjetër, në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se të gjitha anijet e peshkimit të regjistruara në regjistrin e anijeve të peshkimit dhe të pajisura me numër regjistri (NFR), por që iu ka mbaruar afati i vlefshmërisë së lejes dhe nuk e kanë rinovuar atë, kanë të drejtë të aplikojnë për rinovimin e lejes deri në datën 5 dhjetor 2020. Në rast se pronarët ose administratorët e anijeve të peshkimit, nuk deklarojnë vullnetin për të vazhduar aktivitetin e peshkimit dhe të rinovojnë lejen, ministria përgjegjëse bën daljen përfundimtare të anijes nga flota e peshkimit dhe bën të pavlefshëm numrin e regjistrit (NFR) të anijes së peshkimit.
Me mbylljen e numrit të lejeve të peshkimit tregtar profesional dhe artizanal, pas datës 5 dhjetor, ministria përgjegjëse për peshkimin njofton Qendrën Kombëtare të Biznesit, e cila refuzon kërkesën e subjekteve të peshkimit për hyrjen e anijeve të peshkimit tregtar profesional. Hyrja në flotën e peshkimit e një kapaciteti të ri peshkimi bëhet vetëm si zëvendësim me një anije me tonazh dhe fuqi motorike më të vogël ose të barabartë i një anijeje me leje të vlefshme peshkimi ose si zëvendësim i një anijeje peshkimi të mbytur, e cila ishte e pajisur me një leje të vlefshme.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.