“Mbyllen me sukses” bisedimet tregtare SHBA-Kinë!
Ekipet kineze dhe të SHBA-së përfunduan bisedimet tregtare në Pekin të cilat duhet thënë që zgjatën më shumë se sa pritej.
Zyrtarët thanë se detajet do të dalin së shpejti duke rritur shpresën se mund të shmanget një luftë e gjithanshme tregtare që mund të prishë ekonominë globale.Bisedimet zgjatën edhe një ditën më tepër nga çfarë ishte planifikuar, duke treguar kështu se të dyja palët ishin “serioze” – tha ministria e jashtme e Kinës.
Çmimet e aksioneve u rritën në Azi dhe në tregjet e Europës dhe Shtetet e Bashkuara pritet të ndjekin të njëjtin shembull meqenëse bisedimet e zgjatura nxitën optimizmin se ekonomitë më të mëdha në botë po shkonin drejt një marrëveshje. Takimet e kësaj jave janë bisedimet e para ballë për ballë që kur presidenti i SHBA, Donald Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping ranë dakord në dhjetor për një armëpushim 90-ditor në një luftë tregtare që ka rrëmbyer tregjet financiare globale.
Dita shtesë e bisedimeve erdhi mes shenjave të përparimit në çështjet e blerjeve të mallrave të SHBA-së për fermat dhe energjinë si edhe rritjen e aksesit në tregjet e Kinës. Sidoqoftë, sipas burimeve të Reuters dy shtetet ishin larg të arriturit një ujdi për sa i përket reformave strukturore kineze të cilat administrata Trump po kërkon në mënyrë që të ndalojë vjedhjen e supozuar dhe transferimin e detyruar të teknologjisë amerikane.
Nëse asnjë marrëveshje nuk arrihet deri më 2 mars, Trump ka thënë se do të vazhdojë me ngritjen e tarifave në 25 për qind nga 10 për qind në 200 miliardë dollarë të importeve kineze, në një kohë kur ekonomia e Kinës po ngadalësohet ndjeshëm. Pekini ka reaguar ndaj tarifave të SHBA.
Kina është e gatshme t’i japë fund mosmarrëveshjes së saj tregtare me Shtetet e Bashkuara, por nuk do të bëjë “lëshime të paarsyeshme” dhe çdo marrëveshje duhet të përfshijë kompromis për të dyja palët, tha gazeta shtetërore China Daily.
Qëndrimi i Pekinit mbetet i vendosur në faktin se mosmarrëveshja do i dëmtojë të dy vendet dhe prish zinxhirin e tregtisë ndërkombëtare dhe të furnizimit.
Burimi: Reuters
E.T/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.