Mbyllet gara për Unazën e Madhe – Tenderët 129 mln euro, asnjë ankesë për kriteret nga operatorët ekonomikë
Tenderët129 mln euro për ndërtimin e 7 loteve të fundit të Unazës së Madhe është mbyllur pa ankesa nga operatorët ekonomikë, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë shqyrtimit të ofertave dhe shpalljes së kompanive fituese. Data 15 shtator ishte edhe afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve nga kompanitë e interesuara, ndërkohë që gjatë zhvillimit të garës asnjë investitor nuk pati kontestime në drejtim të kritereve të tenderit, që jo pak herë bëhen shkas për kontestime nga ana e kompanive të interesuara. Ndërkaq, duke qenë se fondi limit ishte mbi kufirin e lartë monetar, në këtë tender kishin të drejtë të merrnin pjesë edhe kompani të huaja Procedura e prokurimit publik për 7 lotet e mbetur të Unazës së Madhe u bë në mesin e muajit gusht, duke iu lënë investitorëve 1 muaj kohë për paraqitjen e ofertave.
Ndërkohë, referuar dokumenteve të tenderit, punimet për realzimin e veprës do të duhet të zgjatin 2 vjet nga moment i nënshkrimit të kontratës. 3 prej tenderëve përfshijnë ndërtimin e segmentit nga sheshi Shqiponja te Bulevardi i Ri dhe urat mbi lumë, me një kosto prej 7.42 mld lekë apo 61.3 mln euro, me një gjatësi prej rreth 3 km. Ndërkaq, 4 lotet e tjerë përfshijnë ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, me një kosto totale prej 67.7 mln euro.
Ky segment fillon pas lotit 3, në afërsi të Shkozës, që aktualisht është duke u ndërtuar , duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit e më pas Unaza hyn në zonën e Kinostudios. Më pas segmenti vazhdon drejt veriut, zbret drejt lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz. Ndërtimi i këtyre segmenteve do të bëjë edhe bashkimin e të Unazës, teksa duket se do të jetë një ndër investimet publike më të mëdha përgjatë 2 viteve të ardhshëm.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.