“Mbyllet” qeveria amerikane – Ngelet pa financim, Senati nuk kalon buxhetin
Qeveria federale amerikane u deklarua e mbyllur të Premten në mbrëmje ndërkohë që Senati dështoi të kalonte ligjin e buxhetit shtesë. Mes ligjbërësve vazhdojnë ende negociatat për të bërë të mundur që të zhbllokohet financimi i qeverisë federale.
Negociatat dështuan në momentet e fundit pasi demokratët në Senat bllokuan një buxhet të përkohshëm 4 javor.
Kjo çoi në mbylljen e katërt të qeverisë në 25 vite. Hera e fundit që ndodhte diçka e tillë ishte në vitin 2013. Shtëpia e Bardhë fajësoi demokratët për këtë, duke thënë madje se kjo ndodh në 1-vjetorin e inaugurimit të Trump në krye të vendit.
Rrjedhojë e këtij ngërçi, agjencitë federale, si ato të sigurisë publike apo ushtrisë, të cilat konsiderohen si thelbësore për ecurinë e vendit, do të vazhdojnë të jenë të hapura, ndërsa të gjitha agjencitë e tjera federale do të qëndrojnë të mbyllura derisa kongresi të kalojë një buxhet të përkohshëm në mënyrë që të financojë qeverinë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.