Mbyllja e sesionit parlamentar, Meta: Sukseset dhe dështimet në katër vite
Mbledhja e fundit e Kuvendit këtë të enjte para shpërndarjes, i dha miratimin një seri vendimeve dhe projektrezolutave të renditura në axhendë.
Në sallë ashtu sikurse kemi parë edhe muajve të fundit ishte vetëm mazhoranca.
Në fund të votimit Kreu i Parlamentit në fuqi njëkohësisht President i zgjedhur i Republikës Ilir Meta renditi disa nga sukseset e kësaj legjislature në katër vite por nuk harroi të sillte në vëmendje edhe çështje që mbetën të pazgjidhura.
“Dua të veçoj miratimin e reformës territoriale administrative, që i dha peshën reale pushtetit vendor, reformën për dekriminalizimin, reformën kushtetuese dhe paketën e ligjeve prioritare për sistemin e drejtësisë si kryereforma e kësaj legjislature që u miratua me konsensusin e të gjithë forcave politike. Ligji i vettingut, respektimi dhe zbatimi i tij është shumë i rëndësishëm për hapat e mëtejshëm që Shqipëria duhet të hedhë drejt hapave të mëtejshëm që Shqipëria duhet të hedhë për hapjen e negociatave në rrugën e saj për anëtarësimin në BE si dhe zhbllokimin e reformës në drejtësi. Do të duhet nga të gjithë ne si detyrim ndaj qytetarëve, por dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që ky Kuvend të kishte përfunduar reformën zgjedhore dhe të kishte miratuar ndryshimet e kërkuara në kodin zgjedhor për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për fat të keq Komisioni i Posaçëm për këtë reformë nuk gjeti gjuhën e mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe dialogut mes mazhorancës dhe opozitës për të miratuar me konsensus ndryshimet e kërkuara në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR”.
Shpërndarja e Kuvendit vjen në respekt të afateve që përcaktohen me ligj duke fokusuar vëmendjen tek fushata elektorale më pas zgjedhjet nga ku do të dalin deputetët e rinj.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.