Më fal, a mund ta spostosh telefonin?
Sëbashku me ekspozitën e veçantë “Grand Turismo”, artisti Italian Giacomo Zaganelli sjell dhe një artikull i cili përqëndrohet tek fakti që teknologjia ka ndryshuar mënyrën sesi shijojmë artin, kulturën, turizmin. Varësia e re ndaj rrjeteve sociale, ka prodhuar këtë grupim të ri turistësh që kërkojnë “një pre” për ta postuar në Instagram ose Facebook.
Diku nga mesi i shekullit të 16-të, termi “Grand Turismo” i referohej familjeve aristokrate të Europës Veriore që kishin mjaftueshëm para për të udhëtuar dhe shijuar kulturën e pjesës tjetër të kontinentit. Kjo ishte mundësia e tyre për të parë nga afër atë që e kishin lexuar vetëm në libra mijëra faqësh. Ndërsa, Italia specifikisht, ishte vendi ku mund të prekje rrënjët dhe pjesët më të rëndësishme të civilizimit mijëra vjeçar.
Megjithatë, shumë vite dhe zhvillime teknologjike më vonë, turizmi kulturor duket se iu takon të gjithëve. Globalizimi i ka shtrirë rrënjët dhe në këtë fushë duke i dhënë mundësinë thuajse çdo njeriu nga çdo cep i botës, që të vizitojë vendet e tij të preferuara. Turizmi u shndërrua nga një privilegj i atyre që kishin kohë dhe para, në një aktivitet farë të rëndomtë të masave. Mirëpo, sëbashku me hapjen e kufijve dhe ekraneve digjitale, erdhi dhe mbyllja e mendjes që shikon e shijon pa filtra.
Zaganelli shkruan se turisti i sotëm nuk udhëton për të zbuluar dhe për të njohur. Pjesëmarrja e tij është pasive dhe qëllimi është të krijojë sa më shpejt një postim në realitetin virtual, ku ta shohin të gjithë. Turizmi i sotëm, fizikisht gjendet përballë Xhokondës, por mendërisht diku tjetër shumë larg. Ndoshta do të ishte më mirë të rrinte në shtëpi dhe ta shijonte nga Google duke kursyer kështu para dhe kohë.
Sepse turisti i sotëm fotografon, bën kurse për të fotografuar dhe në fund, as ai vetë nuk e kupton se çfarë ka kapur në objektiv. Megjithatë, për të pak rëndësi ka kjo! E rëndësishme është ta postojë për “të tjerët” dhe të marrë aprovimin e “të tjerëve”, për tu thënë atyre se “edhe unë e kam parë atë që ke parë ti, në mos më shumë”. Përdorimi i kartës së memories ka zëvendësuar përdorimin e trurit ndërsa telefoni është filtri i vërtetë midis asaj çfarë nuk pamë dhe asaj që duhet të shihnim.
Përshtati në shqip: Ergisa Bejkollari/SCAN
Lexo mëposhtë artikullin original:
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.