Me kë do të “martohet” Fox? Comcast rrit ofertën në $65 mld, konkurron ashpër Disney
Gjiganti amerikan Comcast, ofroi 65 miliardë dollarë për Twenty-First Century Fox, duke e tërhequr nga shkrirja me Walt Disney, gjë që krijon një luftë të ofertave mes 2 kompanive më të mëdha mediatike në SHBA.
Kreu ekzekutiv i Comcast, Brian Roberts, tha se ka besim që rregullatorët do ta lejojnë blerjen e aseteve të Fox, pas fitores në gjykatë të AT&T për të blerë Time Warner për 85 mld dollarë.
Lufta për të fituar asetet e Fox po kthehet në një shfaqje ku marrin pjesë ikona të medias, përfshirë Rupert Murdoch që e ktheu Fox në një perandori.
Kreu i Comcast përballet me ekzekutivin e Disney Bob Iger, i cili ka arritur vetë marrëveshje për të shtuar karaktere të Pixar, Star Wars dhe Marvel te shtëpia prodhuese e Mickey Mouse.
Bordi i aksionerëve të Fox do të duhet të vendosë tashmë nëse oferta e Comcast, 20% më e lartë, mposht atë të Disney. Nëse Fox preferon Comcast, Disney do të ketë 5 ditë pune kohë për t’u përgjigjur.
Comcast do të përballet me një betejë të vështirë me aksionerët më të mëdhenj të Fox, familje Murdoxh.
Ata zotërojnë 17% të aksioneve dhe do të përballen me një faturë tatimore disa miliardëshe të kthimit nga kapitali nëse pranojnë ofertën në para’ cash të Comcast, sipas ekspertëve tatimorë.
Aksionerët e Fox do të votojnë më 10 Korrik për transaksionin e Disney, por kompania mund ta vonojë takimin, deklaroi Fox.
Comcast pritet të nxisë kompanitë tradicionale të medias që përpiqen të kombinojnë shpërndarjen dhe prodhimin, për të konkurruar me Netflic dhe Google. Këto të fundit prodhojnë përmbajtje dhe e shesin online në mënyrë direkte te konsumatorët.
Një shkrirje mes Fox dhe Comcast do të krijonte një kompani me marka të njohura në të gjithë botën, si X-Men. Bashkimi i firmave do të ruante të drejtat për të transmetuar shfaqjen e vjetër televizive të Fox, “The Simpsons, të drejtat amerikane për lojërat olimpike dhe Premier League.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.