Më pak dërgesa postare. Pandemia/ Vështirësitë me transportin “kufizuan” qytetarët
Situata e krijuar nga pandemia COVID-19, ku për shkak të problemeve me kufjitë dhe transportin, shumica e qytetarëve hasën vështirësi në dërgimin dhe marrjen e objekteve postare, ka dhënë efekte edhe në tkurrjen e shërbimeve postare. Kështu, referuar të dhënave zyrtare të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në tremujorin e dytë të vitit rezultojnë afro 6,6 milionë objekte postare të pranuara dhe të dërguara nga Posta Shqiptare dhe 17 Ofruesit e Shërbimeve Postare.
Ajo që vihet re është se në raport me Prill-Qershor 2019, numri i objekteve të dërguara apo pranuara ka rënë me 5.1 për qind, e thënë ndryshe 354 mijë shërbime më pak. Ndërsa në raport me Janar-Mars 2020, ka pasur një përmirësim të shërbiemeve postare, ku rritja regjistrohet në nivelin e 4.7 për qind. Nga të dhënat rezulton se për tremujorin e dytë të vitit 2020 Posta Shqiptare zë rreth 82% të tregut postar përkundrejt Ofruesve të tjerë të shërbimeve postare të cilët së bashku zënë 18%.
Megjithatë në periudhën Prill-Qershor, Posta Shqiptare është ajo që ka marrë goditjen më të madhe. Referuar treguesve, Posta Shqiptare në gjatë kësaj periudhe ka realizuar rreth 5,4 milionë shërbime postare, shifër e cila përkthehet në mbi 13 mijë objekte postare më pak se tremujori i parë 2020, sikundër ofruesit e shërbimeve postare në tremujorin e dytë 2020 kanë realizuar 310 objekte postare më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2020.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.