Më pak gra përfituan leje lindje – U paguan 29 milionë euro për mbi 14 mijë nëna të reja
Rreth 3.6 miliardë lekë apo 29 milionë euro ka shpenzuar Instituti i Sigurimeve Shoqërore për barrë-lindje gjatë viti 2019, shifër kjo rreth 200 milionë lekë më e lartë e një vit më parë. Kjo pagesë, korrespondon me 80 për qind të pagës neto për gratë e punësuara që marrin leje lindje, për 6 muajt e pare, dhe më pas për periudhën tjetër reduktohet në 50 për qind.
Po ashtu kjo kategori përfiton edhe një shpërblim në rast se të dy bashkëshortët janë në marrëdhënie pune. Por ndërkohë që shpenzimet janë rritur, numri i grave që kanë përfituar pagesë leje-lindje ka rënë me 1398, çka tregon se ato që janë trajtuar financiarisht mund të kenë pasur paga më të larta.
Në total përfitime të përkohshme për barrë-lindje kanë marrë 14,251 gra, ku pjesa më e madhe rezultojnë të punësuara në firma private apo ndërmarrje buxhetore. Pas shpenzimeve për pensione, të cilat arrijnë vlerën e 108 miliardë lekëve, ky zë përbën dhe vlerën më të lartë të shpenzimeve të Institutit. Ndërkohë që po gjatë kësaj periudhe, janë pagur 521 milionë lekë për aftësi për paaftësi të përkohshme, apo siç quhet ndryshe Kemp, vlerë e cila sërish ka ardhur në rritje krahasuar me 2018.
Ndërsa për aksidente dhe sëmundje profesionale është paguar një shumë modeste prej 21 milionë lekësh. Në total shpenzimet e ISSH-së për vitin që lam pas regjistrohen në 126 miliardë lekë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.