Më pak krim kibernetik, Prokuroria: 147 procedime në 2017, dominon mashtrimi kompjuterik
Gjatë vitit 2017, Prokuroritë në vend kanë vënë nën hetim 146 raste krimesh kibernetike, me një rënie të lehtë prej 4% krahasuar me një vit më parë.
Rënie ka shënuar edhe numri i të dënuarve për veprën penale të Krimit Kibernetik, nga 11 në 2016, në 7 gjatë vitit të shkuar.
Në këtë grup veprash penale bëjnë pjesë mashtrimet kompjuterike, hyrja e paautorizuar në të dhëna të rezervuara, falsifikimi i të dhënave, apo përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike.
Sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, peshën më të madhe në këtë grup krimesh e zënë mashtrimet kompjuterike, të pasuar nga ndërhyrja e jashtëligjshme në të dhënat e rezervuara.
Sipas të dhënave zyrtare, të pandehurit janë të gjithë meshkuj të rritur mbi moshën 18 vjeçare. Në lidhje me arsimin e të pandehurve rezulton se 62,5 % e tyre janë me arsim të mesëm, 25 % me arsim të lartë, 12,5 % me arsim deri 9-vjeçar.
Po ashtu, rezulton se 87,5 % e të pandehurve kanë vendbanimin në qytet dhe 12,5 % në fshat. Ndërsa lidhur me gjendjen gjyqësore të të pandehurve, vërehet se 75 % e tyre janë të padënuar më parë dhe 25 % janë të dënuar për vepra të ndryshme.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.