Më pak ‘kufizime’ për Greqinë – Ministri i Financave: Do të lehtësojmë shumë shpejt kontrollet e kapitalit
Greqia ka në plan të lehtësojë më tej kontrollet e kapitalit dhe është në rrugë të mbarë për të hequr të gjitha kufizimet e vendosura tre vjet më parë. Deklarata ka ardhur nga ministri grek i Financave, Euclid Tsakalotos, gjatë një konference të përbashkët shtypi me Komisioneri Europian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Pierre Moscovici në Ministrinë e Financave në Athinë.
“Me këtë lehtësim të ri ne do të përfundojmë shtyllën e dytë të rregullave në lidhje me tërheqjet e parave dhe hapjen e llogarive bankare dhe do të hyjmë në fazën përfundimtare për heqjen e plotë të kontrollit të kapitalit, shtyllën e tretë dhe të fundit në lidhje me kufizimet për lëvizjen e kapitalit jashtë vendit”, tha ai duke mos specifikuar kohën se ku do të ndodhë kjo.
Greqia vendosi kontrollet e kapitalit për të ndaluar zhvendosjen e parave nga bankat e veta në korrik të vitit 2015, kur në kulmin e krizës së borxheve të saj u përball me falimentimin.
Muajin e kaluar doli nga programi përfundimtar i shpëtimit dhe pothuajse nëntë vite masash shtrënguese. Ndërkohë, vijon të mbetet me shumë borxhe dhe nën monitorimin fiskal nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.