Më pak lodra në treg – Importet bien me 8.6% në 2018, Kina rrit peshën
Shqipëria importon rreth 2.4 miliardë lekë lodra në vit, çka përkthehet në rreth 20 milionë euro, si dhe rreth 900 milionë lekë eksporte, ose rreth 7.2 milionë euro. Këto të dhëna i referohen vitit 2017. Sa i përket vitit aktual ndërkohë, të dhënat flasin për 1.9 miliardë lekë importe dhe 725 milionë lekë eksporte. Si në importe ashtu edhe në eksporte, tendenca e 11 muajve të vitit është në rënie.
Gjatë Nëntorit të këtij viti janë importuar rreth 52 milionë lekë lodra më pak se e njëjta periudhë e një vitit më pare, tregojnë të dhënat zyrtare të Instat. Të dhënat në total sinjalizojnë një rënie të kësaj industrie në vendin tone, me 8.6% këtë vit, në krahasim me 2017-ën. Do të jetë shumë e vështirë që Dhjetori të përmbysë këtë rënie.
Veç faktorëve që lidhen me ecurinë e tregut, një ndër shkaktarët kryesorë të kësaj tendence të re është padiskutim aspekti demografik, ose më saktë plakja e popullsisë, dhe rënia e ndjeshme e numrit të moshave të vogla. Sa i përket vendeve të origjinës së lodrave, të dhënat tregojnë se 62% e tyre vijnë nga Kina. Gjatë 2018-ës, pesha e Kinës në këtë treg është rritur ndjeshëm.
Në vend të dytë, ndjek Italia, me 330 milionë lekë importe, ose 14% të tregut, dhe në vend të tretë Turqia me 6.25% të tregut. Vendet e tjera ndërkohë kanë vlera shumë të vogla. E ndërkohë që Kina ka rritur ndjeshëm peshën e saj në tregun vendas gjatë vitit të fundit, Italia ka rënë ndjeshëm tregojnë të dhënat.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.