“Më pak tenderë, më shumë ankesa” – KPP: Kompanitë ankimuan 768 tenderë, kundërshtime për kriteret dhe vlerësimin e ofertave!
Ankesat nga operatorët ekonomikë për procedurat e prokurimit publik u rritën gjatë vitit 2021, pavarësisht se numri i tenderëve të shpallur nga institucionet shtetërore ishte më i ulët në raport me një vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni i Prokurimit Publik, gjatë vitit të kaluar u publikuan 1361 procedura prokurimi më pak se në vitin 2020, ndërkohë që numri i ankesave u rrit me 3.7%.
Po ashtu, rezulton se vlera e tenderëve të shpallur arriti në 149.3 mld lekë, ndërkohë që ankesat zënë 9.2% të buxhetit të prokuruar apo rreth 13.7 mld lekë. Sipas këtij dikasteri, rritja e numrit të ankesave pranë Komisionit të Prokurimit Publik, kryesisht lidhet me dy faktorë: Ndryshimi i ligjit për prokurimin publik, i cili hyri në fuqi më datë 31 mars të vitit 2021, duke sjellë ndryshime thelbësore në aspektin material, si edhe ndryshimet ligjore në aspektin procedural të paraqitjes së ankesave.
Në total për vitin që kaloi u dorëzuan 768 ankesa, ku 298 prej tyre ose rreth 38.8%, janë ankesa të paraqitura për kundërshtime mbi dokumentet e tenderit dhe 470 ankesa ose rreth 61.2 % e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave. Ndërkaq, gati gjysma e këtyre ankesave është pranuar nga KPP, duke iu dhënë të drejtë operative ekonomikë. Më konkretisht, prej 768 ankesa në total, janë pranuar 327 ankesa, ndërsa 343 të tjera nuk janë pranuar.
Paralelisht, nuk janë marrë në shqyrtim 31 prej tyre, për 54 ankesa është mbyllur çështja, ndërsa për 21 prej tyre ka përfunduar procedimi administrative. Gjatë vitit 2021, numri total i autoriteteve kontraktore për të cilat është paraqitur ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik është 223, ndërkohë që numri i operatorëve ekonomikë ankimues është 283.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.