Më pak vonesa në fluturime – AAC: Janë kompensuar 442 pasagjerë, por procesi po ngadalësohet
Ulja e numrit të fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” është pasuar me një përmirësim të situatës në drejtim të vonesave apo anulimeve të fluturimeve. Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, gjatë muajit tetor u regjistruan në total 23 anulime apo vonesa mbi 2 orë, ndërkohë që për shtatorin u regjistruan 35 të tilla. Në krahasim me muajt korrik dhe gusht, përmirësimi i kësaj problematike është më i dukshëm, duke qenë se për këto 2 muaj u raportuan 95 vonesa apo anulime.
Më problematike për shtatorin është kompania ‘Albawing”, e ndjekur nga ‘Fly Ernest”. Ndërkohë që, në vend të tretë renditet “Blu Panorama”, që gjithsesi ka bërë një përmirësim të ndjeshëm, duke regjistruar vetëm 3 vonesa. Vetë kompanitë i arsyetojnë problemet e mos respektimit të orareve, kryesisht me probleme teknike, por zyrtarë të AAC-së kanë deklaruar më herët se kjo lidhet me numrin e kufizuar të avionëve në krahasim me fluksin e pasagjerëve.
Ndërkaq, në lidhje me zbatimin e të drejtave të pasagjerëve, që preken nga mosrespektimi i orareve të fluturimit Aviacioni Civil raporton se janë gjithsej 442 kompensime në total me nga 250 euro, ose me bileta falas. Por, pavarësisht shifrave pozitive procesi po kalon një fazë ngadalësimi për shkak se një pjesë e madhe e pasagjerëve nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm te kompanitë ajrore, ndërsa në disa raste nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me atë që ju ka ofruar kompania.
Për këtë arsye, AAC i bën thirrje gjithë personave që kanë plotësuar formularët e ankimimit dhe ka kaluar afati prej 6 javësh, që të rikontaktojnë përsëri kompanitë ajrore që kanë patur fluturimin për t’u njohur me statusin e fluturimit të tyre. Në rast se kompania nuk i kthen asnjë përgjigje, atëherë të kontaktojnë me sektorin e të Drejtave të Pasagjerit pranë Autoritetit të Aviacionit Civil.
Muaji Vonesa/anulime mbi 2 orë
Korrik 51
Gusht 44
Shtator 35
Tetor 21
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.