Më shumë biznese paguajnë taksën e pasurisë – Tiranë/ Mbi 47 mijë subjekte përmbushin detyrimin ligjor
Numri i bizneseve që përmbushin detyrimin ligjor për të paguar taksën e pasurisë në kryeqytet është rritur ndjeshëm në tremujorin e fundit të viti, pavarësisht situatës së pandemisë COVID-19. Kështu, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, Tiranë, megjithëse taksa e pasurisë është e detyrueshme për të gjitha bizneset kryesore në vend, rezulton se për kryeqytetin në 3 mujorin e tretë të vitit janë 47.180 subjekte e paguajnë atë rregullisht.
Po të bëjmë një krahasim me periudhat e mëparshme, numri i bizneseve që janë futur në këtë skemë ka pësuar rritje progressive që nga viti 2016 dhe ky vit rezulton me numrin më të lartë të bizneseve që e paguajnë taksën e pasurisë.
Referuar të dhënave të Bashkisë Tiranë, për periudhën Korrik-Shtator 2020, duket se peshën më të rëndësishme në pagesën e këtij detyrimi e zënë individët, apo personat fizikë, ku janë të regjistruar 29. 861, më pas renditet biznesi i vogël me 8575 subjekte, i ndjekur nga biznesi i madh me 4392 subjekte, më pas janë subjektet VIP dhe kategoria të tjera.
Në raport me numrin total të subjekte aktive kryesore që funksionojnë në Tiranë, i cili për 3-mujorin e tretë është 50.211, duket se numri i bizneseve që i shmangen taksës së pasurisë është rreth mbi 3031 të tilla. Formula e re e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2018, parashikon që taksa e ndërtesës të paguhet mbi vlerën reale të tregut dhe për bizneset kjo taksë është 0.15% . Taksa e pasurisë është ndër burimet më me peshë në buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe përbën 18% të totalit të të ardhurave të veta.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.