Më shumë siguri për vaksinat-Manastirliu apel prindërve: Ndiqni me rigorozitet kalendarin.
Në kuadër të javës Europiane të Vaksinimit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u ka bërë apel prindërve që të ndjekin me përpikmëri kalendarin e vaksinimit. Deklarata u bë gjatë vizitës në qendrën shëndetësore Kashar 1, në periferi të Tiranës, e rehabilituar plotësisht në kuadër të programit kombëtar të 300 qendrave shëndetësore.
“Jemi këtu për të promovuar dobinë e vaksinimit për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme, ndaj ju them të gjithë prindërve, të mos bazohen në argumente të paarsyeshme, por të ndjekin me rigorozitet kalendarin e vaksinimit. Investimi i parë i rëndësishëm që nis këtë vit për ruajtjen e zinxhirit ftohës të vaksinave, do të rrisë sigurinë e vaksinimit”, tha Manastirliu.
Apelit ju bashkua edhe ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, e cila garantoi sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave. “Dua të bëj një apel për prindërit, të mos hezitojnë për kryerjen e vaksinave, sepse përfitimet që vijnë nga vaksinimi janë të paarritshme dhe prandaj nuk duhet të kemi frikë nga vaksinat sepse vaksinat janë të sigurta”, tha Bino.
E pranishme gjatë inspektimit ishte dhe deputetja e zonës Blerina Gjylameti, e cila vlerësoi investimin e qeverisë në këtë zonë të ekstremit të Bashkisë Tiranë, duke theksuar se ndryshimi është i dukshëm jo vetëm në qendrat në zonat urbane, por në çdo komunitet.
Gjatë vitit 2018, vetëm në Bashkinë e Tiranës u rehabilituan 15 qendra shëndetësore, nga 80 që u ri konstruktuan në të gjithë vendin. Në këtë vit do të investohet për rehabilitimin dhe pajisjen e 100 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë Shqipërinë, investime nga të cilat do të përfitojnë rreth 450 mijë qytetarë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.