Më shumë të ardhura në buxhet. Ringritja pas mbylljes nga Covid-19, arka e shtetit mbledh rreth 195 miliardë lekë
Buxheti i shtetit ka arkëtuar rreth 34,4 miliardë lekë gjatë muajit qershor. Duket se pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e epidemisë së COVID-19, ekonomia shqiptare po nis të rimarrë gradualisht veten. Në total gjatë gjysmës së parë të vitit në arkën e shtetit janë grumbulluar 194,9 miliardë lekë. Kjo shifër është më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur u arkëtuan 226,1 miliardë lekë.
Nga tatimi mbi vlerën e shtuar janë mbledhur në total rreth 65,5 miliardë lekë, nga ku 7,2 miliardë janë përdorur për rimbursimet. Të ardhura të konsiderueshme janë arkëtuar edhe nga akciza në vlerën prej rreth 19,7 miliardë lekë dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale me 16 miliardë lekë. Ndërkohë totali i shpenzimeve për gjysmën e parë të vitit ka arritur në rreth 233,4 miliardë lekë, nga ku pjesa më e madhe janë shpenzime korrente prej 193,8 miliardë lekë. Si rrjedhojë deficit buxhetor për këtë periudhë vlerësohet në rreth 38,5 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me 11,4 miliardë lekë për muajin qershor.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat
6-mujori 2019 226.116 miliardë
6-mujori 2020 194.902 miliardë lekë
Të ardhurat në buxhet
TVSH 58.2 miliardë lekë
Tatimi mbi fitimin 13.7 miliardë lekë
Akcizat 19.7 miliardë lekë
Tatimi mbi të ardhurat personale 15.9 miliardë lekë
Erusin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.