“Më shumë testime për Covid-19”, Basha sjell shembullin e Sllovakisë që vendosi të testojë të gjithë popullsinë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me mjekët e familjes dhe me specialistët e shëndetësisë, për të diskutuar mbi situatën e krijuar në vend, si pasojë e rritjes së infektimeve me Covid-19. Mjekët sollën një panoramë të zymtë të situatës në terren.
“Duhen dy javë deri në marrjen e tamponit dhe përgjigjes. Ndërkohë që pacienti mund të dalë negativ sepse ka nisur mjekimi. Nuk raportohen të gjitha rastet. Në qoftë se ne themi Kamza 5, ata thonë Kamza 1. Në mungesë të tamponeve i dërgojmë pacientët të bëjnë skaner në privat. Një rast konkret, më 21 u paraqit, më 26 është testuar, rezultati me 2 nëntor. Mjekët, gjatë periudhës së pritjes, kontakteve të te pacientit nuk i bëhet tamponi. Mjekja, rasti konkret, gruas së pacientit nuk iu bë tampon”.
Ndërsa kreu i opozitës, Lulzim Basha, këmbënguli në zhvillimin e më shumë testeve, ndërsa mori shembull Sllovakinë, që ka vendosur të testojë të gjithë popullsinë në një kohë rekord.
“Kemi ngulmuar që në fillim për rëndësinë dhe vlerën e testimeve. Sllovakia ka testuar gati 2/3 e popullsisë mbi 10 vjeç. Kryeministri flet për gjithçka tjetër vetëm për pandeminë jo. Ai tha që në valën e dytë të pandemisë nuk ka rëndësi testimi. Ju po më thoni tjetër gjë, që mungesa e testimeve sjell më shumë fatalitete. Vende të tjera në rajon duhen 10 ditë për të marrë përgjigjen?”
Në mbyllje të fjalës së tij, Basha tha se mjekët dhe infermierët në Shqipëri duhet ti kenë rrogat të paktën sa Kosova.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.