Më të pasurit e botës – Forbes: Bezos, Gates dhe Buffet, kryesojnë përsëri listën
Miliarderët në të gjithë botën kanë humbur pak nga pasuria e tyre në vitin 2018, por gjigantët mbeten ende në krye të listës, sipas revistës Forbes, që publikoi listën e 33-të të miliarderëve në të gjithë botën. Ekzistojnë 2,153 miliarderë në listën e 2019-ës, në rënie nga 2,208 në 2018. Në total, pasuria e miliarderëve të këtij viti qëndron në 8.7 trilionë dollarë, në rënie nga 9.1 trilionë në vitin 2018. Jeff Bezos kryesoi listën për të dytin vit radhazi, me një pasuri neto prej 131 miliardë dollarë, të matur nga Forbes.
Megjithatë, ai ka qenë në titujt kryesorë gjatë kohëve të fundit, për kërcënimin ndaj National Enquirer, problemet martesore dhe caktimin e një selie të dytë në New York. Sipas Kryeredaktores së Forbes, Luisa Kroll, ish- gruaja e tij, MacKenzie, mund të marrë gjysmën e pronësisë të Amazon, duke marrë parasysh ligjet në Washington. Dy vendet e tjera kryesore u zunë nga Bill Gates dhe Warren Buffet. Gates pati një rritje të pasurisë me 6.5 miliardë dollarë, në 96.5 miliardë, falë performancës në treg të Microsoft.
Buffet pësoi rënie të pasurisë me 1.5 miliardë dollarë, në 82.5 miliardë. Kylie Jenner, u kthye në miliarderen më të re në Shtetet e Bashkuara sipas Forbes. Jenner, 21 – vjecc, nisi Kylie Cosmetics në vitin 2016, që sipas revistës vlen tashmë mbi 900 milionë dollarë, të cilën ajo e zotëron tërësisht. Për t’u theksuar ishte edhe rritja e prezencës së 44 miliarderëve kinezë. Donald Trump ka monitoruar prej kohësh vendin e tij në klubin e miliarderëve. Ai pati të njejtën pasuri prej 3.1 miliardë dollarë, që kishte në vitin 2018.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.