Menaxhimi i mbetjeve kaotik! Shqipëria riciklon 25.3% të totalit të gjeneruar
Mbetjet vazhdojnë të mbeten një nga problematikat më madhore në vendin tonë. Kjo për faktin se në gjithë këto vite nuk është gjetur një zgjidhje që të shamngen dëmet mjedisore e shëndetësore që vijnë si rrjedhojë e mosmenaxhimit të tyre. Në një anë kemi qytetarë të shqetësuar për ambjentin e ndotur, por në të njëjtën kohë edhe jo shumë bashkëpunues për të mos rritur më tej shkallën e ndotjes.
Në anën tjetër kemi biznese riciklimi që kërkojnë që të lejohet importi i betjeve për riciklim, në mënyrë që të rrisin sa më shumë të ardhurat e tyre. Më shqetësuese situata është në qytetet më të zhvilluara me popullsi më të lartë, por problematike janë edhe zonat rurale në të cilat pushteti vendor nuk zbaton ose nuk njeh ligjin për menaxhimin e mbetjeve urbane. Konkretisht, vetëm në vijën e kuqe të Tiranës ka kazanë mbeturinash ku mund të bëhet edhe ndarja e mbetjeve që në burim, njësoj si në vendet perëndimore sipas klasifikimit, qelq, letër, mbeturina konsumi. Por kjo nuk është e mjaftueshme për të menaxhur të gjitha mbetjet që prodhohen në kryeqytet. Shqipëria riciklon 25.3% të mbetjeve totale që prodhon, referuar në të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave për vitin 2015. Ky tregues është rritur gjatë vitit 2015, nga niveli prej 21% që kishte qenë në vitin 2014. Megjithatë, ende shumica dërrmuese e mbetjeve nuk trajtohen dhe depozitohen në landfill-e.
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mbetjet organike, që përbëjnë pak më shumë se gjysmën e mbetjeve totale, por edhe për një pjesë të mirë të materialeve që mund të riciklohen. Mbetjet urbane të menaxhuara kanë patur trend në rritje ndër vite, duke iu referuar ndryshimeve në mënyrën e jetesës së tyre.
Në vitin 2015 rezulton të jenë menaxhuar rreth 1,4 milionë tonë mbetje, në vitin 2014 rreth 1,2 milionë tonë dhe në vitin 2013 sasia e mbetjeve të menaxhuar me fonde publike ishte 950 mijë tonë. Nëse i referohemi mbetjeve të gjeneruara nga një banor në shkallë vendi, ato janë gjithmonë në rritje, kështu në vitin 2015 një banor gjeneronte 396 kilogramë në vit.
Jo vetëm ndotje, por edhe abuzim me fondet publike
Në të gjithë territorin e vendit ku mbetjet hidhen nga banorët në zona jo të përcaktuara për to, treguesit e ndotjes janë alarmantë dhe një shkak kryesor është mosmenaxhimi me standarde i mbetjeve. Dekompozimi i tyre natyral zgjat me dekada dhe krijojnë ndotje permanente, që depërton në ujërat nëntokësore dhe ato mbitokësore. Kur bëhet dhe asgjësimi i tyre me djegie, p.sh. plastiket, në atmosferë çlirohen helme shumë të rrezikshme, deri dhe kancerogjene. Kjo konsiderohet si mënyrë e thjeshtë asgjësimi, por shumë e gabuar. Sepse në këto raste evitohet riciklimi, proces që rrjedh nga ndarja në origjinë e mbetjeve.
Por nuk janë vetëm këto dëmet që shkatohen nga mos menaxhimi i duhur i mbetjeve urbane. Duke mos patur të dhëna të zyrtarizuara dhe raportime vjetore lindin dyshime për abuzimin me fondet publike për menaxhimin e mbetjeve. Një sipërmarrje që merret me asgjësimin e mbetjeve e kontraktuar nga një bashki apo njësi vendore mund të luajë me shifrat e sasive. Kështu mund të grumbullojë të themi 100 tonë mbetje dhe raporton me letra 150 ose 200 tonë. Likuidimi financiar do të jetë sipas sasive në letra sepse asnjë gjurmë nuk mbetet në terren për të verifikuar nëse ishin 100, nëse ishin 150 apo 200 tonë mbetje. Këtu lindin abuzime me fondet publike, me paratë e taksapaguesve.
BE skeptike për menaxhimin e mbetjeve
Edhe pse vendi ynë ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh dhe ka bërë një sërë përpjekjesh, më të shumtat në letër, sa i përket situatës së mbetjeve në vend, në sytë e BE-së duket se nuk ka ecur shumë. Nëse i referohemi Progres-Raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë të vitit 2016, nuk ka qenë pozitiv për sa i përket menaxhimit të mbetjeve. “Ndarja e mbetjeve është pothuajse joekzistente, ashtu si edhe mbledhja e mbetjeve për qëllime riciklimi.
Kapaciteti institucional për të menaxhuar mbetjet vazhdon të jetë i dobët në të gjitha nivelet. Ruajtja, hedhja dhe asgjësimi i mbetjeve vazhdon të jetë kryesisht në mospërputhje me standardet e mbrojtjes së mjedisit. Menaxhimi i mbetjeve industriale është i dobët për shkak të mungesës së investimeve dhe për shkak të zbatimit të dobët të ligjit. Strategjia Kombëtare e Menaxhimit të Mbetjeve dhe plani i veprimit, të miratuar në vitin 2011 dhe që aktualisht janë duke u shqyrtuar, si edhe planet rajonale nuk janë zbatuar ende”, thuhet në Progres-Raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë e vitit 2016.
Kalon…s’kalon….”menaxhimi i mbetjeve “ në Kuvend
Mbetjet vazhdojnë të jenë një problem madhor në vendin tonë. Projektligji “Për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë” edhe pse është një nismë e Këshillit të Ministrave që në 9 shkurt të 2015-ës, nuk ka mundur që të kalojë ende në parlament. “Mbetjet” janë një pikë sensitive në vendit tonë sa i përket reagimit të shoqërisë civile, bizneseve të riciklimit dhe vetë qeverisë.
Në fund të vitit të shkuar, ka patur protesta të vazhdueshme të shoqërisë civile të cilat kundërshtonin lejimin e importit të mbetjeve në vend. Për të siguruar qytetarët se po i kushtohej një rëndësi e madhe si importit ashtu edhe menaxhimit të mbetjeve në vend, politika rikthen edhe një herë për diskutim një projektligj që kishte kohë që flinte në sirtaret e tyre. Ky projektligj është parashikuar disa herë në programet 6-javore të Kuvendit, por asnjëherë nuk ka kaluar në parlament. Në anën tjetër, janë bizneset e riciklimit, të cilat edhe ato presin që të mbahet premtimi që iu është bërë dhe të kalojë ligji si për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ashtu edhe ai që lejon importin e mbetjeve në vend.
Entela Barjamaj/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.