Menaxhimi i trafikut dhe parandalimi i aksidenteve – Policia Rrugore masa shtesë në sezonin turistik
Policia Rrugore do të ndërmarrë masa shtesë për të menaxhuar trafikun në sezonin turistik, të cilat kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve. Në një dalje për mediat, Drejtori i Policisë Rrugore, Mithat Tola krahas bilancit për muajin korrik, njoftoi gjithashtu edhe masat shtesë që do të ndërmerren.
Nga të dhënat e policisë rezulton se gjatë muajit korrik janë arrestuar 265 drejtues mjetesh, nga të cilët 101 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 164 për drejtim mjeti pa patentë. Ndërkohë, po gjatë kësaj periudhe një mujore janë ndëshkuar 7 mijë drejtues mjetesh për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit.
Policia Rrugore iu ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve si dhe këmbësorëve që të respektojmë rregullat e qarkullimit dhe të evitojnë sjelljet e rrezikshme në rrugë. Po ashtu, sipas Policisë po vijojnë kontrollet edhe për kategorinë e mjeteve ciklomotorë, me qëllim evidentimin e shtetasve që i drejtojnë pa lejedrejtimi përkatëse.
Sa i takon masave që po merren, në të gjitha Drejtoritë e Qarqeve dhe veçanërisht në zonat bregdetare, Policia Rrugore është duke kryer shërbime me orë të shtuara, me qëllim përballimin e fluksit të madh të automjeteve që qarkullojnë në vend gjatë sezonit veror.
Ndërkohë, policia do të vijojë po ashtu bashkëpunimin me radiot me shtrirje kombëtare përmes së cilave shpërndahen njoftime të vlefshme për drejtuesit e mjeteve, gjatë kohës që udhëtojnë, duke i këshilluar dhe orientuar ata për akset me më tepër trafik.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.