Merkel apel Europës: “Duhet të marrim më shumë përgjegjësi në skenën globale”
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është rikthyer në skenën politike europiane pas një mungese të gjatë, duke i bërë apel vendeve anëtare të unionit që të jenë më të bashkuara dhe të shikojnë më shumë interesin e përbashkët, në një kohë që Donald Trump po minon rendin botëror.
Kancelarja nënvizoi se, Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi në arenën ndërkombëtare, përfshirë mbrojtjen.
Në intervistën e saj të parë televizive pas pushimeve verore, Merkel nuk harron kështu t`i rikthehet rolit të saj të kahershëm, si `kumbare` e Europës së bashkuar.
Muajin e ardhshëm, Merkel pritet të zhvillojë edhe një takim me Emmanuel Macron, për të shkëmbyer propozime mbi mënyrën e reformimin dhe forcimit të zonës së monedhës së përbashkët.
“Ne kemi detyrën e madhe që ta bëjmë këtë Evropë një faktor global, për të siguruar prosperitetin, paqen dhe lirinë”, deklaroi Angela Merkel. Ajo shtoi gjithashtu se Europa duhet të marrë vetë në dorë fatin e saj.
“Ne na duhet një partneritet i ri dhe i balancuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të fitojmë hapësirat e nevojshme për manovra duke reaguar ndaj realitetit të ri”, deklaroi vetëm pak kohë më parë Ministri i Jashtëm i Gjermanisë.
Merkel ndërkohë vjen nga një vizitë nga Azerbajxhani, ku për të ka shprehur mbështetjen e madhe të Europës dhe Gjermanisë ndaj Korridorit Jugor të gazit dhe gazsjellësit Trans-Adriatik.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.