Merkel e Macron paralajmërojnë nisjen e një dinamikë të re për Europën: Nëse lind nevoja, do të ndryshojmë traktatet europiane
Angela Merkel dhe Emmanuel Macron paralajmërojnë një dinamikë të re në marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Francës. Në konferencën e parë për mediat, të dy liderët e rëndësishëm të Europës u shprehen të bindur se nëse do të jetë e nevojshme, mund të ndryshohen edhe traktatet europiane.
“Kemi rënë dakord që të punojmë sëbashku në një mënyrë shumë të ngushtë” tha Merkel në konferencë pas takimit me kreun e Elizesë. “Jam e vetëdijshme që në një moment shumë kritik të Bashkimit Europian, duhen marrë vendimet e duhura” tha Merkel. Kancelarja ka folur për projekte mbi sistemin fiskal për t’i dhënë impuls Europës.
“Duam të zhvillojmë një udhërrëfyes. Ka një bindje të përbashkët që nuk mund të merremi vetëm me Brexit, por edhe duhet të mendojmë për thellimin e Europës” vijoi Merkel.
Macron ka nënvizuar nevojën që Franca të bëjë reforma, por nevojitet gjithashtu “zhburokratizimi i Europës”.
“Detyra ime është e vështirë, nuk e kam harruar votën e zemërimit. Plani “Junker” nuk ka para të freskëta. Ajo që kemi nevojë është për para të freskëta. Nevojiten investime për të ardhmen e Europës” tha Presidenti i sapozgjedhur i Francës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.