Merkel në Davos – Shpreh dyshime për rendin e ardhshëm botëror
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehu “dyshime të mëdha” mbi vendimet e marra kundër sistemit ndërkombëtar, por theksoi se ka ende hapësirë për kompromis dhe reforma.
Merkel foli në mbledhjen vjetore të Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Kancelarja rikujtoi ndikimin e ngadalësimit të ekonomisë globale në sistemin ekzistues shumëpalësh, duke theksuar se projeksionet aktuale për ngadalësimin ekonomik, kanë sjellë një serë “pasigurish ndaj sistemit”. Ajo tha se ndërprerjet në sistemin shumëpalësh vendosin nën presion rendin ndërkombëtar, gjë të cilën institucionet ndërkombëtare duhet ta shohin si një paralajmërim.
“Shohim një qasje të re në botën sot, një qasje që krijon dyshime ndaj vlefshmërisë së sistemit ndërkombëtar. Ata thonë se duhen parë interesat personale fillimisht, e më pas të zhvillohet një rend që është i mirë për të gjithë. Kam dyshimet e mija për këtë. Unë mendoj që interesat kombëtare duhet t’i kuptojmë gjithnjë në një mënyrë që të kujtojmë edhe interesat e të tjerëve, që janë të faktorizuara, e më pas të krijojmë një situatë që është përfituese për të gjithë” – tha Angela Merkel.
Kancelarja gjermane bëri gjithashtu thirrje për reforma të organizatave ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, në mënyrë që të reflektojnë një ekuilibër të ri të pushtetit në botë. Forumi Ekonomik Botëror nisi ditën e Martë, event ku kanë marrë pjesë 60 liderë të shteteve, 40 krerë të organizatave ndërkombëtare dhe 1,700 ekzekutivë të bizneseve.
Tema e këtij viti është “Globalizimi 4.0: Formimi i një Arkitekture Botërore në Epokën e Revolucionit të Katërt Industrial”.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.