Merr fund dilema-Ja si do tarifohen bagazhet e dorës për fluturimet low –cost
Bagazhet me përmasa të vogla nuk do të tarifohen me çmim shtesë, të paktën në Itali. Lajmi vjen pasi Autoriteti italian i Konkurrencës dhe Tregut (AKT) refuzoi dje me efekt të menjëhershëm politikën e re të propozuar nga kompanitë low-cost “Ryan Air” dhe “Wizz Air” për pasagjerët italianë.
Politika e propozuar nga dy kompanitë vendoste tarifë shtesë për valixhet me përmasa të vogla që pasagjerët mbajnë poshtë sediljeve të avionit. Sipas AKT, nga njëra anë, kompanitë kanë zvogëluar me 65% hapësirën që i dedikohet bagazheve të dorës. Por, nga ana tjetër, kanë vendosur që përpos çmimit standard të biletës, të paguhej dhe tarifa shtesë për këto bagazhe.
Sipas “Ryanair”, vendosja e një tarife shtesë shmang vonesat në fluturime. Përfaqësues të kompanisë pretendojnë se këto bagazhe nuk përmbajnë objekte të domosdoshme për pasagjerët. Në të njëjtën linjë qëndron dhe “Wizz-Air”, që shton gjithashtu se një propozim i tillë erdhi si kërkesë e autoriteteve hungareze, pretendim të cilin AKT e hodhi poshtë.
Të dyja kompanitë ajrore vendosën të vazhdojnë përpjekjen në lidhje me propozimin e ri. “Do apelojmë menjëherë vendimin. AKT nuk mund të vendosë në çështje që i takojnë sigurisë në fluturim dhe saktësisë së orareve”, u shprehën për “Corriere della Sera”, burime nga “Ryanair”.
Valixhja me përmasa të vogla që pasagjerët e linjave ajrore mbajnë në avion, është një e mirë e domosdoshme dhe nuk mund ti nënshtrohet një tarife shtesë. Jo vetëm sepse çanta e krahut është e pamjaftueshme për të gjitha objektet e nevojshme, por edhe sepse kjo tarifë shkakton paqartësira në lidhje me çmimin real të biletës. Por, pavarësisht kësaj, në muajin gusht, “Ryanair” propozoi vendosjen e tarifës, vendim i cili hasi në kontestime nga organizatat e mbrojtjes së konsumatorit italian duke rezultuar më pas në refuzimin e propozimit nga ana e AKT.
Nga Corriere della Sera/ Përshtati në shqip: Ergisa Bejkollari/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.