Merr vrull lufta tregtare – SHBA liston $200 mld mallra kinezë, Pekini premton kundërpërgjigje
Kina paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se do të kundërpërgjigjet, ndërkohë që administrata e Trump i dha vrull luftës tregtare, duke kërcënuar tarifa në 200 miliardë dollarë mallra kinezë. Ministria e Tregtisë në Kinë, bëri të ditur këtë javë se është “tronditur” nga lajmërimi dhe se do të ankohet te Organizata Botërore e Tregtisë, megjithatë, pa bërë ende të qartë se si do të reagojë. Në një deklaratë, theksoi se veprimet e Shteteve të Bashkuara janë “totalisht të papranueshme”. Ministria e Jashtme deklaroi se Kina duhet të kundërpërgjigjet për të mbrojtur interesat. “Kjo është një luftë mes unilateralizmit dhe multilateralizmit, proteksionizmit dhe luftës tregtare, pushtetit dhe rregullave”, deklaroi Ministria e Jashtme.
Pekini ka bërë të ditur se do të reagojë ndaj Washingtonit, edhe nëpërmjet masave “cilësore”, që kërcënojnë bizneset amerikane në Kinë për më shumë hetime, vonesa në miratimet e investimeve dhe barriera për t’i shërbyer konsumatorëve. Kina mund të limitojë gjithashtu vizitat në SHBA nga turistët kinezë ose të ulë zotërimet e borxhit amerikan. Vlera prej 200 miliardë dollarësh tejkalon bindshëm importet e Kinës nga SHBA, që nënkupton se Pekini duhet të gjejë mënyra alternative për t’iu kundërpërgjigjur këtyre masave.
Në nisje të javës, zyrtarët amerikanë publikuan një listë të mallrave të importit nga Kina që administrata e Trump kërkon t’i tarifojë, përfshirë produktet ushqimore, duhanin, kimikatet, qymyrin, çelikun dhe aluminin. Lista përmban gjithashtu mallra të tjera të konsumit si gomat e makinave, mobilje, produkte të drurit, çanta dhe valixhe e të tjera. Sipas zyrtarëve në SHBA, administrata i ka kërkuar me durim Kinës që të ndalojë praktikat e padrejta ndaj kompanive të huaja, të hapë tregun dhe të krijojë një konkurrencë të drejtë në treg. Lajmërimet u reflektuan në tregje, ndërkohë që indekset kryesorë të titujve të kapitalit në Azi ranë me më shumë se 1%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.