Meta nuk njeh Komisionin për shkarkimin – Braho: Puç, s’njeh Kuvendin. Hyseni kërkon emrat që morën shtetësi nga Presidenca
Presidenti i Republikës, Ilir Meta nuk është paraqitur të martën në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij, duke e quajtur këtë të fundit jokushtetues, të palegjitimuar, dhe jashtë afateve të funksioneve të Kuvendit. Përmes një letre zyrtare, Presidenti pretendoi se asnjë proces i kësaj natyre (hetimor) nuk mund të ushtrohet e të zhvillohet në këtë periudhë tranzitore të përfundimit të mandatit të Kuvendit actual. Ndërkohë që nuk ishin të këtij mendimi deputetët e Komisionit Parlamentar për hetimin e Presidentit, sipas të cilëve, sjellja e presidentit është mosnjohje e Kuvendit dhe e Kushtetutës.
Kreut të Shtetit ju la hapësirë deri të hënën të paraqitet në Komision, ndërkohë që Presidencës i është dërguar kërkesë zyrtare për zbardhjen e personave që u është dhënë shtetësia shqiptare veçanërisht për periudhën e fushatës.
Komisioni hetimor ka vijuar gjatë së martës me shfaqjen dhe marrjen në administrim të materialeve filmike dhe publikimeve në rrjetet sociale që i konsideron si shkelje të Kushtetutës nga ana e kreut të shtetit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.