Meta pret në një takim kryeministrin e Kosovës: Me rëndësi intensifikimi i mëtejshëm i shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare
Presidenti Meta priti sot në një takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Pasi e uroi Haradinajn për krijimin e qeverisë së re të Kosovës, si dhe për detyrën e rëndësishme si kryeministër, Meta shprehu angazhimin e tij për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, në interes të rritjes së mëtejshme të njohjeve ndërkombëtare, si edhe forcimit të perspektivës evropiane.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, shkencore, arsimore, turistike, kulturore dhe të gjitha formave të tjera mes dy vendeve tona. Ndërkohë nga ana tjetër, përshëndeti gatishmërinë e Kryeministrit Haradinaj dhe qeverisë së re të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si një proces pa alternativë dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit të rajonit.
Meta theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në gjithë rajonin, duke theksuar se Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi, Presidenti vlerësoi marrëdhëniet e NATO-s me Kosovën, si dhe rëndësinë e ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.