Meta reagon për raportin e DASH: “I kam bërë thirrje SPAK e Prokurorisë, por nuk kanë reaguar. Të çlirohet ekonomia”
Për raportin e publikuar nga DASH ka reaguar edhe presidenti i Republikës. Në një status në rrjetet sociale Meta shkruan: Sipas konkluzioneve tronditëse të DASH “investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato.
Është domosdoshmëri kthimi i ekonomisë në normalitet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. I kam bërë thirrje publike prej muajsh Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) të nisë hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve për të vënë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese klienteliste.Ende nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe ende nuk ka asnjë hetim! Procesi ligjbërës dhe interesat klienteliste nuk mund të fusin në qorrsokak procesin e integrimit dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Është koha që shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre!”.
Arbër Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.