Meta, vizitë pune në Itali – Mattarella: Thellojmë bashkëpunimin, Vetting-u ju afron në BE
Rritja e mëtejshme e bashkëpunimit veçanërisht në fushat e ekonomisë e tregtisë ka qenë tema kryesore e takimit mes Presidentit, Ilir Meta dhe homologut Italian, Sergio Mattarella. Në kuadrin e vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit të hënën nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, në Sheshin e Nderit të Pallatit Quirinale.
Të dy Presidentët vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve e dy popujve dhe ndanë mendimin se këto marrëdhënie duhet të marrin më shumë substancë dhe të zgjerohen edhe më tej, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Në këtë drejtim u theksua interesi për një prezencë më të madhe të kompanive italiane, veçanërisht në sektorët strategjikë.
Në komunikatën e Presidencës së Shqipërisë shkruhet se, “Të dy presidentët ndanë mendimin se zbatimi në kohë dhe me sukses i reformës në drejtësi do të ndikojë në luftën efikase ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe do të afrojë më shpejt Shqipërinë me BE-në”.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.