Microsoft kalon Apple – Bëhet kompania e listuar me vlerën më të madhe, në $851.2 mld
Gjiganti amerikan i teknologjisë, Microsoft, është kthyer në kompaninë publike me vlerën më të madhe, duke i zënë titullin prodhuesit të iPhone, Apple. Vlera totale e tregut të Microsoft kaloi Apple në ditën e fundit tregtare të javës në SHBA.
Në mbylljen e tregtisë amerikane ditën e Premte, Microsoft kishte një vlerë tregu prej 851.2 miliardë dollarë, në 110.89 dollarë për aksion, duke marrë parasysh sasinë totale të aksioneve në qarkullim prej rreth 7.7 miliardë në datën 19 Tetor, sipas formularit të fundit të publikuar në Komisionin e Bursave dhe Letrave me Vlerë (SEC). Vlera në treg e Apple, bazuar në totalin e aksioneve në qarkullim prej 4.7 miliardë në datën 26 Tetor, mbeti prapa në 847.4 miliardë dollarë, apo 178.6 dollarë për aksion.
Nëse Microsoft e mbyll vitin si kompania me vlerën më të madhe, kjo do të ishte hera e parë që ndodh që prej vitit 2002. Apple arriti një shifër mbresëlënëse prej 1 trilionë dollarë të kapitalizimit në treg gjatë Gushtit, dhe u bë kompania e parë e listuar në SHBA që arrin këtë vlerë historike.
Amazon e kaloi nivelin gjatë një dite tregtare 5 javë më vonë, por nuk e ka mbyllur asnjëherë tregtinë sipër atij niveli. Aksionet e Apple kanë patur luhatje gjatë javëve të fundit, prej të ardhurave zhgënjyese për tremujorin dhe prej lajmërimit se nuk do të bëjë më të ditur se sa iPhone, iPad dhe kompjutera Mac shet çdo tremujorë.
Kjo solli shqetësime për investitorët për shkak të reduktimit të transparencës. Nga ana tjetër, Microsoft është trefishuar në treg në 4 vitet e fundit nën lidershipin e ekzekutivit Satya Nadella. Kompania kaloi Google në vlerë tregu dhe është në rritje me 7% për muajin e kaluar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.