Migjen Kelmendi në “PASSPORT”: Zgjidhja më e mirë për Kosovën qeveria e unitetit!
I ftuar në emisionin PASSPORT të gazetarit Arbër Hitaj në SCAN, ishte publicisti i njohur nga Kosova Migjen Kelmendi që foli për situatën më të fundit në Kosovë dhe largimin e Qeverisë Kurti. Kelmendi, argumenton se Kurti e provokoi vetë partnerin e tij në koalicion LDK duke i larguar nga detyra, nënkryetarin që ishte edhe ministër i brendshëm. Sipas zotit Kelmendi, Albin Kurti është një lider autokratik që nuk respekton kompromiset.
Në lidhje me skenarët e mundshëm ai thotë se krijimi i një qeverie uniteti, është opsioni më i mirë dhe jo zgjedhjet e parakoshme. Kelmendi, kritikon Kurti edhe për problemet që solli me SHBA dhe me Shqipërinë, duke kritikuar hapur kryeministrin Edi Rama
“Albin Kurti po krijon një ndasi të madhe në vend, mes të vjetërve dhe të rinjve, mes katundarëve dhe qytetare, diçka e palejueshme për një lider të ri, që e prezanton veten si një lider të ri modern dhe alternativ. Kurti përdori të rinjtë dhe të rejat e Prishtinës, duke i nxitur me urrejtje kundrejt kujdo që mendon ndryshe se ata. Kjo është e pafalshme. Fitorja e Albin Kurtit në zgjedhje ishte për shkak të një kompromis më të “moçmit” pra me LDK, që ai i kritikon tani.
Por ai nuk e njeh dhe nuk e do kompromisin, nuk e ka të përjetuar. Albin Kurti largoi në mënyrë autokratike ish ministrin e Brendshëm vetëm se pati një kundërshti. Albin Kurti ka shenja të forta prej autokrati. ish Ministri i Brendshëm, ishte nënkryetari i LDK-së. Politikani Kurti e ka të vështirë me bashkëqeverisë, ai është i mbyllur.
Unë besoj se në zgjedhje të reja, qytetarët e Kosovës do të reflektojnë dhe do t’i ngrenë shumë pyetje zotit Kurti. Ka shumë gabime të tij në këto vetëm pak ditë, që nga përplasja me SHBA” u shpreh Këlmendi.
Sa për ambasadorin amerikan Grenell, Këlmendi tha se “asnjë lider i Kosovës, që ka marrë votat me qeverisë vendin e tij, nuk mund t’i kërkojë llogari SHBA ose të komentojë rolin e ambasadorit Grenell”
Një zgjidhje e mundshmem në këto kushte, sipas tij, mund të jetë një qeveri uniteti, për të dalë nga ky ngërç. “Të hiqet taksa me Serbinë dhe të vijojë procesi i shtetësisë së Kosovës” evidenton ai.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.