Migracioni i parregullt – Rreth 4500 shqiptar janë riatdhesuar në 3 muajt e parë të 2018-ës
Në tre muajt e parë të shtetit janë depërtuar rreth 4500 shtetas shqiptar nga vendet e BE-së, të cilët kanë qenë të parregullt. Policia e shtetit vijon punën në parandalimin e migracionit të parregullt. Një tjetër avion ka mbërritur sot në Rinas me 30 shtetas shqiptarë të depërtuar nga Franca dhe Belgjika.
Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, e pranishme në Rinas theksoi se edhe gjatë 2018-ës do të vijojë zbatimi i masave shtesë për parandalimin e fenomenit të azilkërkimit.
“Si rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit me Frontex dhe policitë homologe, është bërë e mundur që nga 1 janari deri në 10 prill 2018 të deportohen 4492 shtetas shqiptarë të parregullt, nga vendet e BE-së. Po në kuadër të masave parandaluese, gjatë kësaj periudhe janë proceduar 80 shtetas shqiptarë që kanë tentuar të kalojnë kufirin me dokumente të falsifikuara. Masat janë forcuar edhe në kufirin jeshil, ku si rezultat i patrullimeve janë kapur rreth 700 shtetas shqiptarë që kanë tentuar të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme”, deklaroi Hajnaj.
Që prej gushtit 2017, vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin e këtij fenomeni, ku në të gjitha pikat e kalimit kufitar, nuk janë lejuar të kalojnë të gjithë ata shtetas që nuk përmbushnin kushtet për të udhëtuar në zonën Schengen.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.