Milano ‘bllokohet’ prej Koronavirusit: Mbyllen shkolla, muze, kinema dhe lokale
Milano ‘mbyllet’ në përpjekje për të mbrojtur veten nga Koronavirusi, i cili megjithatë ka mbërritur tashmë në qytet me rastet e para të infeksionit. Nga shkollat te teatrot, te muzetë, kinematë, baret dhe klubet e natës nga 18 në 6: të gjitha të mbyllura për 7 ditë të cilat madje mund të bëhen 14 sipas urdhrit të Rajonit të Lombardisë, i cili parashikon pezullimin e ngjarjeve ose iniciativave të çfarëdo natyre, eventesh ose çfarëdo forme takimi në një vend publik, përfshirë ato kulturore.
‘Sulm’ në supermarkete
Çdo gjë ka ndryshuar në qytet, përveç ceremonive të funeraleve dhe martesave të cilat janë të kufizuara vetëm nga një rreth i afërt familjar si dhe në supermarkete të cilat janë duke u zbrazur nga njerëzit për ushqime në rast karantine. Ndërsa orët kalojnë, qyteti ngadalë po ‘mbyllet’.
Anuluar tashmë në 22 shkurt ndeshja e Inter-Sampdoria, e planifikuar në San Siro në 23 shkurt, dhe ndërkohë në mëngjesin e 23 shkurtit janë ndaluar hyrjet në muze dhe ekspozita. Në vijim priten edhe mbylljet e shkollave nga kryetari i komunës, Giuseppe Sala, i cili e quajti ndërhyrjen “parandaluese”.
Shfaqjet dhe kinematë të “Pezulluara”
Institucionet më të rëndësishme kulturore në qytet kanë pezulluar shfaqjet, teatrot dhe kinematë. Teatri i Scalas ka ndërprerë të gjitha shfaqjet si masa paraprake deri në udhëzimet e mëtejshme nga autoritetet. Një njoftim është postuar jashtë teatrit në italisht dhe anglisht për të komunikuar vendimin për turistët dhe qytetarët. Si dhe jashtë Pinacoteca di Brera e cila u mbyll në 23 shkurt, në orën 17:00, dhe do të qëndrojë e mbyllur deri më 2 mars.
Asnjë kufizim për restorantet
Baret, klubet e natës dhe institucionet argëtuese duhet të mbyllen sipas rregullave rajonale nga ora 18:00 në 6:00 të mëngjesit, ndërsa nuk do të ketë kufizime për restorantet.
Katedralja e mbyllur
Edhe monumenti simbolik i qytetit, Duomo, do të mbetet i mbyllur për turistët si masa paraprake deri në 25 shkurt. Besimtarët do të jenë në gjendje të hyjnë për t’u lutur, por nuk do të jenë në gjendje të marrin pjesë në meshat që janë pezulluar deri në një datë për t’u përcaktuar, siç njoftoi kryepeshkopi i Milanos, Imzot Mario Delpini.
Zyrat publike dhe transporti i përditshëm publik
Për momentin, zyrat publike të qytetit, dyqanet dhe i gjithë sistemi i transportit publik nuk kanë ndërprerje, por nëse situata do të “përkeqësohej”, nismat drastike dhe rigoroze do të merren në një fazë të dytë.
Java e modës me dyer të mbyllura
Edhe Milano e modës ka marrë masat paraprake: gjatë javës së shfaqjeve të modës ka nga ata që kanë vendosur të sfilojnë pas dyerve të mbyllura si Giorgio Armani dhe Laura Biagiotti. Edhe ‘sulmi’ në supermarkete filloi pas urdhrit rajonal: raftet e mishit dhe frutave e perimeve u zbrazën shpejt dhe ka radhë të gjata në arkë. Njerëzit gjithashtu lëvizin me dy ose tre karroca të pajisur të gjithë me maska mbrojtëse.(ilsole24ore)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.