Mimi Kodheli në “Passport”: “Dhuna ul ekonominë, sjell frikësim të turistëve e frikësim të biznesit”
Kryetarja e Komisionit të Jashtëm Mimi Kodheli e ftuar në emisionin PASSPORT të gazetarit Arbër Hitaj në RTV SCAN, ka folur për ecurinë e diplomacisë shqiptare, duke vlerësuar ministrin e ri Genc Cakaj. Në lidhje me çeljen e negociatave me BE-në, zonja Kodheli shprehet optimist, por thekson se është e rëndësishme që Shqipëria të përgatitet për fazën që vjen pas.
“Zoti Cakaj, ka qenë më parë Zëvëndës Ministër në këtë detyrë dhe ka mbuluar pikërisht procesin e integrimit, që është një proces deri diku dhe shumë teknik. Deri më tani edhe pse është një kohë e shkurtër mendoj se Cakaj ka bërë punën e duhur duke treguar entuziasmin e e duhur për këtë detyrë. Sepse duhet të kombinim, mund të kesh njërën dhe s’ke tjetër dhe diçka nuk shkon dhe kjo nuk shkon tek një drejtues.
Pavarësisht është pak herët për të marrë një vlerësim të plotë, por unë e kam shprehur edhe disa herë të tjera, se ka gjithë mbështetjen time për aq sa unë di dhe kam eksperiencë. I bëj apel edhe çdo eksperti të integrimit apo të marrëdhënieve ndërkombëtare që ka një eksperiencë në politikën e jashtme që ta mbështesin, sepse e ripërsëris nuk jemi duke mbështetur Genc Cakaj, por mbështesim vendit bëjmë detyrën ndaj atyre që na kanë zgjedhur” tha Kodheli.
Në lidhje me çeljen e negociatave për Shqipërisë, Kodheli shprehet optimiste se Shqipëria do të marrë përgjigje pozitive, por situata e brendshme dhe protestat e dhunshme kanë efekt negativ.
“Situata politike do të ndikojë negativisht, sepse opozita është në rrugë dhe po kryen akte dhune. Por unë besoj se Shqipëria do të marrë përgjigje pozitive. Ne si vend, duhet të hedhin hapa për atë që do të ndodh pas kësaj periudhe, që do të thotë rritja e kapaciteteve për të hartuar dhe përfituar projekte nga Bashkimi Europian.
Rumania është një shembull I mirë, pasi ka një ministri të posaçme për këtë punë, dhe fiton shifra shumë të mëdha. Ka shumë potencial për të përfituar në fushën e bujqësisë, mjedisit, turizmit apo infrastrukturës që janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë” vijoi Kodheli.
E sa i përket ndikimit që ka situata e tensionuar në ekonomi, Kodheli u shpreh se efektet janë negative.
“Duhet të largohemi nga dhuna. Njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Dhuna ul ekonominë, sjell frikësim të turistëve, sjell frikësim të biznesit. Pra ka efekt negative” tha Kodheli.
Intervista e plotë:
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.