Ministri i Brendshëm, Lleshaj: Policia e Shtetit gati për fushatën që synon personat me pasuri kriminale
Në krye të paketës anti-KÇK-që miratoi sot qeveria do të jetë Komiteti Kombëtar i Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar.
Ai do të kryesohet nga ministri i Brendshëm dhe ka në përbërje shumë organizma të tjerë, të cilët pritet të raportojnë tek Këshilli i Ministrave një herë në tre muaj për ecurinë e punës së tyre.
“Miratimi sot i paketës ligjore kundër krimit të organizuar, i jep Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese një instrument të ri shumë të fuqishëm për të adresuar këtë fenomen kriminal në Shqipëri.” – u shpreh ministri në fjalën e tij.
Më tej në prezantimin e këtji Komiteti, z.Lleshaj u shpreh se në ditët në vijim policia do të filloëj aksionin e gjerë “Forca e Ligjit”, e cila do të godasë të gjithë personat me pasuri kriminale:
“Menjëherë mbas miratimit të kësaj pakete, Policia e Shtetit është e përgatitur për të filluar një fushatë të rëndësishme për të targetuar të gjitha rastet e personave, të cilët kanë grumbulluar pasuri në bazë të aktivitetit kriminal dhe për këtë qëllim duke filluar nga ditët në vijim për të mos thënë orët në vijim, Policia e Shtetit do të angazhohet në një operacion të gjerë, ‘Operacioni Forca e Ligjit’, i cili synon pikërisht të vërë para përgjegjësisë cilindo, që përmes veprimtarisë kriminale ka grumbulluar pasuri dhe asete kriminale.” – u shpreh Ministri i Brendshëm.
Ligji i jep mundësi Policisë të ndërhyjë dhe iu jep detyrimin të gjithë personave që kanë prona dhe pasuri të pa-sqaruara që të provojnë para gjykatave kompetente nëse prona e siguruar prej tyre është burim i financimeve të ligjshme apo në të kundërt i veprimtarive të paligjshme. Në rastin e dytë, pra në rastin e veprimtarive të paligjshme pasuria sekuestrohet, konfiskohet dhe më tej futet në proces administrimi në dobi të publikut.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.