Ministria e Arsimit për anulimin e tarifave të studentëve: “Qeveria ka mbajtur zotimet. Llogari drejt universitetit”
Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit ka kthyer përgjigje për kërkesën drejtuar institucionit rreth anulimit të tarifave për vitin akademik 2019 – 2020.
Ministria ka bërë me dije se është vazhduar me rigorozitet zbatimi i “Paktit për Universitetin”, duke subvencionuar përgjysmimin e tarifave dhe duke dhënë bursat për ekselentët, masa këto që prekin rreth 90% të studentëve, shkruhet në përgjigje.
Gjithashtu MASR ka rikujtuar edhe disa masa të tjera, nëpërmjet të cilave ka ndihmuar studentët për lehtësimin nga barra e detyrimeve financiare.
Sipas MASR është negociuar me bashkitë për çështjen e pagesës së konvikteve si dhe ka kontribuar në vendimin për shtyrjen e qerasë së studentëve gjatë periudhës së pandemisë.
“Viti 2020-të është edhe viti më i mirë deri tani për sa i përket kontributit të buxhetit të shtetit në subvencionimin e kostos së studentit, përqindja e së cilit është në fashën 75-98% në IAL-të publike.” – shkruhet më tej në njoftim.
MASR ka bërë me dije se për ankesat që kanë ardhur drejtim të institucionit për zhvillimin e cunguar të disa lëndëve në mësimin online, ka dërguar kërkesa drejt universiteteve për t’i mundësuar nxënësve kushtet që të kryejnë konsultime fizike përpara provime, “Kjo duhet të ndodhë me çdo Institucion të Arsimit të Lartë”, theksohet në njoftim.
Në fund të njoftimit MASR bën me dije se më shumë llogari duhet të kërkohet pranë universiteteve, ndërsa Ministria ka mbajtur të gjitha zotimet e saj, kundrejt detyrimeve që ka me studentët.
Përgjigjja për shkresën “Mbi anulimin e tarifave për vitin akademik 2019-2020”: Të nderuar,Pas një proteste para…
Posted by Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë on Tuesday, June 23, 2020
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.