Ministria e Financave nxjerr për qira ish-Kombinatin e tekstilit – Synohen investime dhe vende të reja pune
Ish-Kombinati i Tekstileve “Stalin”, i cili i ka dhënë dhe emrin zonës së Kombinatit në Tiranë, do t’i jepet me qira sipërmarrësve privatë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar datën 18 Korrik, si ditën e konkursit për dhënie me qira të tij.
Pasuria në pronësi të Shoqërisë “Prodhim Mobilje” sh.a. ka një sipërfaqe prej 862 metrash katrorë dhe do të jepet në përdorim për dhjetë vjet.
Vlera dysheme për detyrimin e qirasë në ankand nis nga 86,200 lekë në muaj. Megjithatë, tarifa mujore e qirasë nuk do të jetë kriteri kryesor në vlerësimin e ofertave. Për vlerën e investimit ofertuesit do të vlerësohen me një maksimum prej 50 pikësh, ndjekur nga 30 pikë për numrin e individëve që do të punësohen, ndërsa qiraja vlerësohet vetëm me 20 pikë.
Ofertuesit do të duhet të paraqesin para komisionit të shqyrtimit të ofertave edhe planin e biznesit, ku përshkruhet qëllimi i përdorimit, aktiviteti që do të zhvillohet, plani i investime, fazat e zhvillimit dhe burimi i financimit.
Kombinati i tekstileve “Stalin” u inaugurua më 8 nëntor 1951 dhe në kulmin e kapacitetit të tij punësonte 8-12 mijë vetë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.