Ministria e Jashtme thirrje qytetarëve: ”Nëse keni planifikuar udhëtime, anulojini ato!”
Me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme udhëzon të gjithë qytetarët që kanë planifikuar udhëtime, t’i anulojnë ato, nëse s’janë domosdoshmërisht të nevojshme për ta apo familjarët e tyre.
Gjithashtu, ministria bën me dije se një pjesë e konsiderueshme e linjave të fluturimit i kanë anuluar fluturimet për në aeroportin e Rinasit dhe një numër i konsiderueshëm shtetesh kanë ndaluar kalimin tranzit përmes aeroporteve të tyre, si dhe qarkullimin e të huajve.
Sa i përket shërbimeve konsullore të nevojshme apo të emergjencës për të cilat qytetarët dëshirojnë të aplikojnë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, informon se qytetarët duhet të drejtohen në platformën e shërbimeve konsullore online (SHKO), në faqen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme klikoni në linkun:
https://punetejashtme.gov.al/sherbimet-konsullore-online/
si dhe në Portalin Qeveritar e-Albania në linkun:
https://e-albania.al/Default.aspx
Për çdo informacion tjetër të nevojshëm, Ministria e Jashtme, i bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të kontaktojnë pa hezitim me Përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë në vendin ku ndodhen, në numrat e tyre të emergjencës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.