Ministria e Mbrojtjes britanike konfirmon: Luftanija britanike u përplas me nëndetësen ruse!
Një anije luftarake britanike goditi një nëndetëse ruse ‘gjuetare-vrasëse’ me pajisjet sonar të anijes ndërsa ishte në patrullë në Atlantikun e Veriut, ka zbuluar Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
HMS Northumberland i Marinës Mbretërore po gjurmonte nëndetësen ruse në fund të 2020-ës, kur sonari i grupit të tërhequr të fregatës Type 23 – një kabllo e gjatë me hidrofonë që shkon nën ujë pas një anijeje – u përplas me nëndetësen.
Incidenti u kap nga një ekip filmi për një dokumentar të Channel 5, Luftanije: Jeta në Det, që po transmetohet në MB.
Ministria e Mbrojtjes nuk kishte komentuar më parë për përplasjen, por e ka konfirmuar tani për shkak se është kapur në kamera.
“Në fund të vitit 2020, një nëndetëse ruse që gjurmohej nga HMS Northumberland ra në kontakt me hidrolokatorin e saj të tërhequr,” tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë të dhënë për disa media britanike më 6 janar. “Marina Mbretërore gjurmon rregullisht anijet dhe nëndetëset e huaja për të siguruar mbrojtjen e Mbretërisë së Bashkuar”.
Një burim i Ministrisë së Mbrojtjes i tha BBC-së se nuk ka gjasa që nëndetësja të jetë përplasur qëllimisht me kabllon e hidrolokatorit.
Në programin televiziv, ka një skenë të momentit kur ekuipazhi në HMS Northumberland kupton se diçka ka ndodhur. Ekuipazhi bërtet: “Çfarë dreqin ishte ai?”
Është e paqartë nëse nëndetësja ruse ka pësuar ndonjë dëmtim. Sidoqoftë, HMS Northumberland duhej të kthehej në portin në Skoci për të zëvendësuar hidrolokatorin e dëmtuar.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.