Ministria e Sipërmarrjes – Jaka: Presim strukturë funksionale
Krijimi i një Ministrie për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në kabinetin e ri qeverisës është mirëpritur nga komuniteti i biznesit. Kreu i biznesit kryeqytetas Nikolin Jaka, u shpreh gjatë një interviste për TV SCAN, se krahas vlerësimit për këtë strukturë të re, prisnim një procedurë dhe format ndryshe.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme prezantimi i një ministrie të posaçme për sipërmarrjen private. Ka qenë një kërkesë e sipërmarrjes private e kahershme, ne e kemi kërkuar mbase në procedurë tjetër dhe në format tjetër, por është jashtëzakonisht e rëndësishme që kemi një reagim. Pra, këtu do të thotë se fjalët tona kanë shkuar diku, janë dëgjuar dhe jam i sigurt se koha do të jetë edhe shëruesi më i mirë i të gjithë komunikimeve tona, që kjo ministri të marrë dhe rolin e saj për t’i shërbyer sipërmarrjes private”, u shpreh Jaka për SCAN.
Sipas Jakës, kjo ministri duhet të përmbushë pritshmëritë e biznesit, si dhe të funksionojë dhe të përqendrohet në disa sektorë kryesorë.
“Jam i bindur që gjatë rrugës do të kemi edhe komunikime me qeverinë, mbase dhe me ministren përkatëse për të formatuar siç duhet këtë ministri që të jetë realisht në shërbim të sipërmarrjes shqiptare dhe jo vetëm të sipërmarrjes shqiptare, por të ketë një ndikim të fortë në hartimin e politikave zhvillimore ekonomike në sektorin privat. Jam i bindur që ndikimi i sipërmarrjes private tek kjo ministri do të jetë shumë i madh, sepse janë nevojat dhe emergjencat që po kalon ekonomia kombëtare, nevojat dhe domosdoshmëria që po kalon sektori i prodhimit dhe sektori i ekonomisë private në tërësi. E ndjen dhe do ta ndiejë si një domosdoshmëri intensifikimin e marrëdhënieve të komunikimit me sipërmarrjet private dhe me këtë ministri dhe me qeveri në tërësi”, shtoi Jaka.
Vetëm dy muaj më parë, para zgjedhjeve të përgjithshme, biznesi i bëri thirrje klasës politike që me konfigurimin e qeverisë së re të krijohet ministria e Tregtisë dhe Sipërmarrjes, drejtimi i së cilës do të propozohej nga vetë biznesi.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.