Ministrja Balluku dhe DPSHTRR për transportin publik: “Po punojmë për masa të reja mbështetëse. Në shtator prezantohet reforma”
Ministrja e Energjisë dhe Infrasturkturës, Belinda Balluku në ditën e sotme ka bërë një inspektim në fshatin Bërxullë, e shoqëruar edhe nga Drejtori i DPSHTRR, ku iu është përgjigjur edhe kërkesave të bëra nga Shoqatat e Transportit Publik, që kanë bojkotuar të fillojnë aktivitetin nga dita e sotme.
Ministrja u shpreh edhe njëherë mbi masat që qeveria ka marrë deri tani për të mbështetur këtë sektor, ndërkohë që siguroi se po punohet me Ministrinë e Financave dhe me ministrin e Shtetit për Rimëkëmbjen, për të mundësuar iniciativa të tjera për këtë sektor të goditur keq nga situata e pandemisë së Covid-19.
Sipas saj, deri më tani një nga vendimet e marra është njohja e 100%, nga 43% që ishte deri para pak ditësh, e shpenzimeve për konsumin e naftës nga kompanitë e transportit të udhëtarëve publike.
Më tej, znj.Balluku ka bërë me dijeni se është kërkuar mbështetja e punonjësve të këtij sektori me pagën e luftës si në çdo sektor tjetër si edhe mbështetja e pushtetit vendor për të bërë të mundur përjashtimin nga taksat vjetore të pushtetit lokal deri në 31 dhjetor të 2020-ës.
Gjithashtu edhe Drejtori i DPSHTRR, Gonxhe ka bërë me dije masat që janë marrë nga institucioni që ai drejton për të lehtësuar barrën financiare të transportit publik.
Sipas tij, një ndihmë e madhe e bërë ndaj të gjithë operatorëve, është kompensimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura, e cila i është bërë të gjitha mjeteve 8+1. Gjithashtu po punohet që edhe kolaudimi i mjeteve të bëhet pa pagesë në këtë vit.
“Po merremi me kolaudimin dhe me kalimin pa pagesë edhe jashtë radhe me operatorin e kolaudimit, në mënyrë që të mos kemi as rëndesë për qytetarët, por të mos kemi as radhë për mjetet, që janë të mëdha dhe që mund të zënë trafik. Po punojmë edhe pasdite, po punojmë edhe në fundjavë dhe janë rreth 2600 mjete që janë tashmë kolauduar dhe janë gati për nesër për këtë gjë.”
Ministrja Balluku ka kërkuar dialog dhe mirëkuptim me protestuesit për kërkesat e tyre, duke bërë me dije se më e rëndësishme në këtë moment është rikthimi i aktivitetit në normalitet dhe zbatimi i protokolleve të sigurisë.
Në fund ajo ka bërë me dijeni se një nga gjërat më të rëndësishme për sektorin është Reforma që po përgatitet dhe që është ngadalësuar për shkak të pandemisë COVID-19:
“Premtimi ynë më i madh është reforma e transportit publik, për të cilën sot ne po mbyllim detajet e fundit dhe do t’i shpallim në muajin shtator, për të nisur implementimin në fillim të janarit të 2021 dhe për ta kthyer këtë sektor në një sektor model, me kapacitet të plotë në përmbushje të kushteve dhe të kritereve që transporti publik i një shteti evropian duhet të ketë.” – tha ministrja Balluku.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.