Ministrja Denaj në terren: “Zgjidhje të re për problemin e papunësisë. Gati plani i rimëkëmbjes së bizneseve”
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj ka qenë në terren për të inspektuar nga afër situatën financiare të bizneseve, ndikimin që Garancia Sovrane ka pasur mbi to dhe problemet e papunësisë.
Gjatë bashkëbisedimit me pronarët e disa bizneseve në kryeqytet, ministrja është shprehur se qeveria ka gati një plan afatmesëm, ku do prezantojë masa për ringritjen e ekonomisë dhe stimulimin më të madh të saj.
Ndërkohë, vetë drejtuesit e bizneseve janë shprehur se Garancia e Parë Sovrane i ka ndihmuar për t’i dhënë “frymëmarrje” në përballimin e pagave të punonjësve.
Ministrja Denaj ka zbuluar më tej se procesi i punësimit do të ndryshojë, pasi do të ketë një marrëdhënie të re mes Zyrave të Punës dhe Arsimit Profesional, që jo vetëm do t’u vijë në ndihmë të papunëve por do të jetë një ndihmë edhe për vetë bizneset.
Sipas shifrave të zbuluara nga vetë znj.Denaj në emisionin “Argument” në Scan janë 342 kredi të miratuara për biznese me një fond total prej 4.2 miliardë lekësh nga 674 aplikime, ndërkohë që fondi total i caktuar nga qeveria është 11 miliardë. Sipas saj qeveria nuk ndërhyn në marrëdhëniet midis banakve dhe bizneseve, por subvencionon interesin e kredive dhe garantojnë kolateralin.
Ndërkohë Garancia e dytë Sovrane do ndihmojë bizneset për të rritur kapitalin qarkullues dhe për të financuar investime të reja.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.