Ministrja e Mbrojtjes në SHBA, Xhaçka: Rrisni prezencën në Shqipëri, ofrojmë gjithë kapacitet
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka kërkuar rritje të pranisë së Shteteve Bashkuara të Amerikës apo NATO-s në vendin tonë, duke shërbyer si vend kontakti në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kërkesa e saj është bërë gjatë takimit me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, gjatë vizitës së saj zyrtare në SHBA.
“Ju ftojmë ta konsideroni me dashamirësi Shqipërinë si një vend kontakti në rajon. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar në rajon dhe do të luajmë padyshim një rol konstruktiv për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në zonën tonë. Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten tek ne. Ne besojmë se është koha për të parë një gjurmë në Shqipëri. Një prani e SHBA-së ose e NATO-s në Shqipëri është një demonstrim i qartë se kjo zonë nuk harrohet nga aleatët tanë”.
Në këmbim, Xhaçka ofroi të gjitha kapacitete ushtarake që ka vendi ynë.
“Në funksion të këtij projekti, ne jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion bazat tona detare/kapacitetet tona tokësore/ajrore/detare, në mënyrë bilaterale me SHBA ose në kuadrin e NATO-s. Në të njëjtën kohë dëshirojmë të shohim një rritje të prezencës së industrisë së mbrojtjes amerikane në Shqipëri. Në këtë drejtim, ne do të vlerësojmë mbështetjen dhe rolin tuaj për të promovuar këtë angazhim”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis mirëpriti propozimin për ta parë Shqipërinë si një footprint për NATO-n në rajon dhe vlerësoi se ky propozim vjen në momentin e duhur nga një vend që ka treguar jo vetëm me shifra, por edhe me angazhime se është një aleat i denjë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.