Ministrja Ekonomi pret ambasadorin japonez, në fokus bashkëpunimi ekonomik
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi priti në një takim kortezie ambasadorin e Japonisë në Shqipëri z. Makoto Ito.
Ambasadori Ito është i sapo akredituar në Tiranë dhe qëllimi i vizitës ishte njohja dhe diskutimi i çështjeve me interes të përbashkët sidomos bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimi i turizmit.
Ministrja Ekonomi shprehu kënaqësinë për këtë takim, për hapjen e Ambasadës së Japonisë në Tiranë, si dhe për mundësinë e shtrirjes së bashkëpunimit të mëtejshëm me Japoninë.
Gjithashtu, ministrja Ekonomi i adresoi Ambasadorit Ito një falenderim të përzemërt për asistencën e Japonisë, veçanërisht në sektorin e zhvillimit ekonomik, ku theksoi se falë asistencës së Japonisë një numër i konsiderueshem specialistësh nga ministria janë trajnuar në Japoni.
MZHETTS dhe JICA gjithashtu sapo kanë nënshkruar dokumentin ‘Record of Discussion’, një marrëveshje që i hap rrugë projektit më të ri të JICA në Shqipëri “për përfshirjen financiare të familjeve/sipërmarrjeve të vogla në Shqipëri”, program 4 vjeçar (2017-2021)
Ministrja Ekonomi theksoi se projekti i sapo dakordësuar me Japoninë për Përfshirjen Financiare të familjeve/sipërmarrjeve të vogla në Shqipëri, është një hap i rëndësishëm në mbështetje të zhvillimit rural të familjeve apo sipërmarrjeve të vogla në zonat e varfra të vendit.
Me besim se ky projekt do të shfaqë një qasje të re dhe shumë pragmatike në zhvillimin e ndërmarrjeve dhe sipërmarrjeve familjare në zona të largëta dhe pa akses në sistemet financiare të vendit.
Gjatë takimit u diskutua dhe për mundësinë e një vizite të ministres Ekonomi në Japoni në kuadër të forcimit të shkëmbimeve tregtare dhe organizimit të takimeve mes sipërmarrësve shqiptarë e japonezë, për nxitjen e rritjes së bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
Në takim Ambasadori Ito shoqërohej nga zv. Ambasadori i Japonisë, z. Sakaguchi dhe Koordinatori Kombëtar i Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar JICA, Sokol Konomi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.