Ministrja Ibrahimaj njofton: Kemi vendosur një garanci për tregtarët kryesorë!
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca zhvilluan një deklaratë të përbashkët për shtyp për ngritjen e Bordit të Transparencës për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të shportës dhe inputeve bujqësore.
Ibrahimaj tha se qëllimi i bordit është që të mos lejojë që çmimet të rriten dhe monitorimi i kostove të prodhimit për gjithë tregtarët e shumicës dhe prodhuesit si dhe marzhit të fitimit.
Ajo u shpreh se të gjitha kompanitë që ishin prezente dhe në takimet e mëparshme që janë bërë kanë garantuar për të pasur marzhe fitime minimale mbi produktet e shportës, madje disa prej tyre kanë arritur deri aty sa të mos marrin marzhe fitimi por vetëm koston e tyre operacionale.
“Ne nuk mund të kontrollojmë çmimin, çmimi në Shqipëri vjen nga inflacioni i importuar dhe gjatë gjithë ditëve të analizës kemi parë sa është rritur inflacioni në gjithë tregjet botërore. Ne nuk mund të vendosim çmimet që do donim, çmime arbitrare sepse jemi në një ekonomi tregu. Në ditët në vijim do ju mbajmë të informuar mbi aktivitetin e bordit dhe instrumentet e veprimit. Ne do bashkëpunojmë më tregtarët që të mos abuzohet”, u shpreh Ibrahimaj.
Ibrahimaj njoftoi se është vendosur një garanci që do të përdoret nga tregtarët kryesorë, që të garantohen blerjet e tyre dhe produktet në tregun shqiptar të mos mungojnë për një periudhë afatmesme!
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.