Ministrja Manastirliu njofton masat e reja. Zgjatet ora për qarkullimin e njerëzve, hapen fluturimet me Anglinë
Ministrja Ogerta Manastriliu në mbledhjen e radhës të Komitetit Teknik të Ekspertëve ka bërë njoftimin për ndryshimin e disa masave në lidhje me përballimin e situatës së krijuar nga Covid-19.
Për shkak të vaksinimit masiv dhe rënies së të gjithë indikatorëve në të cilën vlerësohen marrjet e masave, ministrja u shpreh se Komiteti ka vendosur të zgjasë fashën orare të qarkullimit si dhe të lejojë sërish fluturimet me Britaninë e Madhe.
“Situata paraqitet e qëndrueshme me një rënie të incidencës, si dhe me uljen e rasteve të reja pozitive. Shënohet rënie në shtrimin e spitaleve. Prej katër ditësh në spitalin Covid4 nuk ka pacientë, por mbetet në gatishmëri.
Për shfrytëzimin e shtretërve është në vlera 30%, ndërsa për terapi intensive është 13%. Në vlerësim të situatës të 6 javëve të fundit duke vlerësuar të gjithë indikatorët Komiteti i Ekspertëve, sot ka vendosur në mbledhjen e tij të ndërmarrë disa masa të reja.
Komiteti Teknik ka vendosur të zgjasë orën e lejuar të qarkullimit të qytetarëve deri në orën 22:00 të mbrëmjes, si dhe zgjatet shërbimi për baret dhe restorantet. Të gjitha masat dhe protokollet e sigurisë vijojnë të mbeten në fuqi.
Ora policore do të bëhet nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në 6:00. Kjo fillon nga dita e hënë. Kjo masë do monitorohet në vazhdimësi për një periudhë dyjavore.
Gjithashtu duke marrë në konsideratë përmirësimin e epidemisë në Angli, Komiteti Teknik ka propozuar rihapjen e fluturimeve me këtë vend.
Qëndrueshmëria e situatës së epidemisë ka qenë motivi kryesor i këtyre ndryshimeve të ndërmarra nga Komiteti.
Kemi pasur edhe nëj arsye tjetër që na ka motivuar si lehtësimi i agjërimit për qytetarët myslimanë që nis në 13 prill. Përsëris thirrjen të mos neglizhojnë masat. ”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.